Vetëm pesë minuta ka mundur të qëndrojë “në këmbë” kontejneri i vendosur nga Policia e Kosovës në zonën e “Tre Rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës.
Brenda pesë minutave, serbët e rebeluar u mobilizuan dhe demoluan kontejnerin, ndërsa i ndoqën me vrap dy policët që i kishte dërguar atje ministri Bajram Rexhepi, për t’i siguruar shqiptarët te “Tre Rrokaqiejt”, shkruan gazeta “Zëri”.
E gjithë ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të së hënës, kur pjesëtarët e Policisë së Kosovës me urdhër nga “lart” vendosën një postbllok statik në zonën e “Tre Rrokaqiejve” për t’u garantuar shqiptarëve të atjeshëm siguri. Veprimi i Rexhepit erdhi pas vrasjes së Selver Haradinajt në këtë zonë.
Lajmi është konfirmuar nga vetë zyrtarët policorë, të cilët kanë theksuar se në lagjet e banuara me popullatë etnikisht të përzier, janë vendosur pika statike të kujdestarisë dhe të kontrollit, por që Policia nuk ka mundur të konfirmojë, nëse sërish do të vendoset një kontejner tjetër në zonën e “Tre Rrokaqiejve” në veri të Mitrovicës.
“Do të gjendet një modus i vendorëve dhe EULEX-it nëse sërish do të vendoset një kontejner në zonën e “Tre Rrokaqiejve”. Por, them se pikat statike janë vendosur jo vetëm në ato lokacione ku ka pasur incidente, por edhe në lokacione të tjera ku mund të ketë tensione”, ka deklaruar për gazetën zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se duhet pyetur ministri Rexhepi se pse është zmbrapsur nga vendimi për vendosjen e kontejnerit në zonën e “Tre rrokaqiejve”, pavarësisht faktit se është sfiduar nga serbët e atjeshëm, por sipas tij, duket se ministri kosovar nuk e ka pasur mbështetjen e EULEX-it dhe KFOR-it për këtë vendim.
Ndryshe, zgjidhja e çështjes së veriut të Kosovës ka kohë që është tema më e diskutuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në margjinat ndërkombëtare. Madje, ambasadori amerikan Christopher Dell nuk ka përjashtuar mundësinë që këtë vit të fillojë dialogu për zgjidhjen e çështjes së veriut, por se ka përjashtuar çfarëdo autonomie apo statusi special.