Judah: Problemi i veriut mund të zvarritet me vite

Përderisa Kosova nuk arrin t’u mbush mendjen serbëve të veriut se do të merren parasysh dhe se do të mbrohen interesat e tyre në Kosovë, kjo situatë mund të zvarritet deri në pafundësi, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, publicisti britanik Tim Judah.

 “Natyrisht se është e nevojshme një zgjidhje politike-përndryshe s’do të ketë asnjëherë ndonjë zgjidhje. Por, nuk pres që do të shohim bisedime serioze për një kohë mjaft të gjatë, meqë Serbia ka nisur tani një cikël dhe është e mundshme që Kosova të nis një cikël zgjedhor më vonë këtë vit”, tha Judah.

“Pra, është e mundshme që të mos ketë bisedime serioze deri në një të ardhme të largët, sepse kur ke cikle zgjedhore kalon disa muaj deri në formimin e qeverive të reja e kështu me radhë. Andaj, do të humbet shumë kohë dhe nuk pres që këtë vit të ndodhë ndonjë gjë në këtë drejtim”.
Judah tha se ka pasur aq shumë klasifikime të zgjidhjeve ekstreme: sipas njërit ekstrem është i nevojshëm integrimi i tërësishëm i veriut sikurse i pjesëve të tjera në Kosovë, ekstremi tjetër flet për ndarje. Pastaj, sipas tij, përmenden lloje të ndryshme të autonomive: autonomia e llojit të Republika Srpska, autonomia sipas planit Ahtisaari ose autonomia sipas Ahtisaarit në një formë tjetër.

“Ka 100 klasifikime të zgjidhjeve, por nuk pres që të ndodhë ndonjë zgjidhje. Pres që të vazhdojë gjendja aktuale do të lëkundet andej-këtej pa ndryshuar në të ardhmen e afërt. Nuk pres që të ndryshojë diçka e nëse më kontaktoni edhe pas një viti ka gjasa që situata të jetë e njëjtë”, tha Judah.