Mbledhja e Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur sot u përshkua me atmosferë të tensionuar, për shkak se familjarët kërkuan përshpejtim të zbardhjes së fatit të të pagjeturve. Ata akuzuan EULEX-in dhe Qeverinë e Kosovës që sipas tyre nuk po bëjnë sa duhet për këtë kategori.
Në prag të 27 prillit, Ditës së të zhdukurve, familjarët e të pagjeturve kritikuan edhe njëherë qeverinë dhe institucionet ndërkombëtare që nuk po bëjnë sa duhet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qeveritar për persona të zhdukur, kryetari Prenk Gjetaj tha se ky komision ka kompetenca dhe detyra për gjetjen e mbetjeve mortore ndërkaq përgjegjësia për zbardhjen e fatit të të zhdukurve u takon organeve tjera shtetërore vendore dhe ndërkombëtare.
Muharrem Pajaziti nga shoqata “27 Prilli”, duke paraqitur disa dëshmi të Masakrës së Burgut të Dubravës, tha se çdo i burgosur që i ka mbijetuar asaj masakre ka dhënë nga 10 herë dëshmi në UNMIK dhe në EULEX, raporton RTK.
Ndërkaq Bajram Qerkini, i cili është edhe anëtar i komisionit ngriti çështjen e mbi 50 trupave të gjetur në kazermën “Meto Bajraktari” në Mitrovicë. Ai tha se nëse këta trupa nuk identifikohen atëherë do t’i sjellë para ndërtesës së qeverisë. Ndërkaq për këtë vit është paraparë të bëhen gërmime në 36 lokacione.