Ndërpritet seanca, VV vë emrin e Selver Haradinajt

Në hapje të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë mbajtur në dorë një mbishkrim me emrin e Selver Haradinaj, i cili është vrarë më 8 prill nga një sulm me bombë në shtëpinë e tij, derisa anëtarët e tjerë të kësaj familje janë lënduar.

Pasi  nënkryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nga radhët e Vetëvendosjes si dhe shefi i grupit paralamentar i VV,  Visar Ymeri për disa minuta kanë vazhduar të mbajnë në dorë pëlhurën me emrat e Selver Haradinajt dhe policit të vrarë në aksionin e 25 korrikut 2011, Enver Zymberi, kurse nuk i janë përgjigjur thirrjes së kryeparlamentarit Krasniqi për vazhdimin e seancës, ky i fundit caktoi një pauzë dhe thirri në një mbledhje Kryesinë e Kuvendit dhe shefat e Grupeve parlamentare.
Ndryshe, pas vrasjes së Selver Haradinajt në shtëpinë e tij në veri të Mitrovicë, Vetëvendosje kishte kërkuar një seancë të jashtëzakonshme, por kjo nuk ishte aprovuar.
38 vjeçari Selver Haradinja është vrarë në shtëpinë e tij më 8 prill, në ora 01:20 minuta pas një shpërthimi të fuqishëm në njërën prej ndërtesave të Tre Rrokaqiejeve, në veri të Mitrovicës. Fëmijët dhe bashkëshortja e tij janë plagosur nga shpërthimi.