Kërkohet “qytetari verior” për negociata

Deri në periudhën shtator-nëntor të këtij viti, nëse do të pranohej kërkesa e Prishtinës, do të mbaheshin zgjedhje lokale në veriun e Kosovës për të zgjedhur pushtetarë të rinj komunalë, të cilët do të ishin të pranueshëm për negociata për atë pjesë të Kosovës.

Sipas burimeve të “Zërit” në qeverinë e Kosovës, OSBE-ja është në diskutim e sipër për gjetjen e formulës, e cila do të organizonte zgjedhje, prej të cilave do të dilnin “qytetarët e veriut” që tani përmenden për negociata me Prishtinën.
“Fillimisht duhet të krijohet komuna e re e veriut të Mitrovicës, ashtu siç e thotë edhe Pakoja e Ahtisaarit e më pas të mbahen zgjedhje, gjithmonë duke respektuar ligjet dhe rregullat e Kosovës, por pa iu thënë se këto po bëhen në kuadër të Pakos, e cila ka propozuar pavarësinë për status final për Kosovën. Rezultate konkrete pritet të arrihen në periudhën shtator-nëntor të këtij viti, nëse gjithçka shkon sipas planit”, tregon një zyrtar i qeverisë së Kosovës.
Prishtina deri tash publikisht ka thënë vetëm që nuk e do Beogradin pjesë të negociatave apo të diskutimeve për veriun, pasi atë e zgjidh me “qytetarët e veriut”.