Isa Mustafa ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Hashim Thaçi se zgjedhjet e përgjithshme nuk do të mbahen deri më 2014. Lideri i LDK-së ka thënë se marrëveshjet duhet të respektohen në mënyrë që procesi elektoral të zhvillohet vitin e ardhshëm.
Thaçi, njëkohësisht kryetar i PDK-së, ka thënë se nuk do të respektojnë marrëveshjen e nënshkruar në prill të vitit të kaluar për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 2013, duke potencuar se ato do të mbahen në fund të vitit 2014, shkruan Express.
Në përvjetorin e 22-të të themelimit të Degës së LDK-së në Kamenicë, Mustafa thotë se të gjithë duhet t’i qëndrojnë prapa marrëveshjes.
Pa ia përmendur emrin Thaçit, kreu i partisë më të madhe opozitare ka thënë se dikush po tenton t’ia zgjasë vetes mandatin për të qeverisur keq Kosovën.
“Ne dëshirojmë që në Kosovë të qeverisin ata që do të marrin votën legjitime të qytetarit; ata që do ta marrin besimin e qytetarit, sepse neve na nevojitet legjitimitet i brendshëm, na nevojitet edhe legjitimitet i jashtëm, dhe legjitimiteti i veçantë është vota që buron nga vullneti i qytetarit”, ka thënë ai.