Edhe pse Beogradi zyrtar ka hequr tashmë dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, disa nga përfaqësuesit e banorëve serbë të pjesës veriore të vendit vazhdojnë të insistojnë që më 6 maj të ketë zgjedhje për kryesitë dhe asambletë komunale të Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Përfaqësues të Qeverisë së vendit janë shprehur në mbështetje të mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale e parlamentare të shtetit serb në Kosovë, bazuar në parimin e dyshtetësisë, ndërsa kanë paralajmëruar përdorimin e “të gjitha mjeteve kushtetuese” për parandalimin dhe pengimin e zgjedhjeve lokale.
Në Policinë e Kosovës thonë se ekzistojnë plane operative për këtë çështje, por se deri më tani nuk ka një urdhër të prerë për veprimet që parashihet të ndërmerren në ditën e zgjedhjeve, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Në pyetjen se çfarë veprimesh parashihet të ndërmerren sipas planeve në fjalë dhe se a hyn konfiskimi i materialit zgjedhor në kuadër të këtyre veprimeve, zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, shprehet: “Veprimet tona nuk duhet gjithmonë të jenë të pavarura, duke marrë parasysh kompetencat ekzekutive të partnerëve ndërkombëtarë të sigurisë - EULEX-it dhe KFOR-it”.
Rëndësinë për veprime të koordinuara me mekanizmat ndërkombëtarë në veri e theksojnë edhe njohësit e rrethanave politike dhe proceseve zgjedhore në Kosovë.
E rëndësishme në këtë aspekt, sipas profesorit Mazllum Baraliu, do të jetë që Beogradi të mos luajë një “lojë të dyfishtë”.
“Besoj dhe shpresoj që kësaj radhe Beogradi është i sinqertë në relacion me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe me vetë serbët e veriut - si qytetarë të Kosovës - që të mos lejojë ose të mos përkrahë të paktën mbajtjen e atyre zgjedhjeve që janë jolegjitime”, vlerëson Baraliu.
Analistët në Beograd thonë se me tërheqjen e Serbisë nga vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë, nuk është ndërprerë mbështetja dhënë strukturave paralele të instaluara në pjesën veriore të Kosovës.
Jelena Milic, drejtoreshë e Qendrës për Studime Euroatlantike në Serbi, thekson rëndësinë për një dialog ndërmjet shtetit serb dhe serbëve lokalë në veri për këtë çështje.
Zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë ishte përmendur disa herë si parakusht për avancimin e Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.Në kuadër të kërkesave të deritashme që disa nga shtetet anëtare të BE-së i kanë bërë qeverisë serbe, ishte dhe mos mbajtja e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, meqë me këtë, siç thuhet, do t’u vazhdohej mbështetja politike strukturave paralele ekzistuese.