Qeveria “kursen” për shqiptarët në veri

Banesës ku kanë jetuar me dekada të tëra, te lagjja “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicën veriore, i është vënë dryni, ndërsa gjërat e pakta që kanë marrë me vete janë rrobat për vajzën e tyre gjashtëmuajshe.

Derisa më shumë se gjysma e anëtarëve të familjes janë vendosur te të afërmit e tyre në jug të Mitrovicës, nusja më e re e kësaj familje, Sh. F. Së bashku me foshnjën e saj, është detyruar të kthehet te babai i saj, shkruan Zëri. Jeta e kësaj familje është rënduar edhe më shumë në aspektin ekonomik.
Deputetët e partive opozitare akuzojnë Qeverinë e Kosovës se nuk është e interesuar që t’i parandalojë largimet masive të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës. Ata madje akuzojnë ekzekutivin kosovar se është bërë pjesë e spastrimit etnik të veriut, ndërsa theksojnë se është e pakuptimtë se si autoritetet në Serbi ndajnë buxhet të veçantë për ta mbajtur nën kontroll këtë zënë të vendit, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje t’iu ofrojë shqiptarëve të atjeshëm qoftë një lloj ndihme sociale, e cila përveç tjerash do t’i motivonte ata që të mos i braktisnin shtëpitë e tyre por të jetojnë në to.
Këtë e mohon zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili thotë se ekzekutivi ka shpenzuar mjete në shumë projekte në veri.