Të drejta edhe për Luginën!

Serbia po vazhdon me politikat e saja diskriminuese ndaj Luginës së Preshevës dhe me këtë po tentohet që në mënyrë të heshtur të bëhet shpërngulja e shqiptareve nga Lugina. Kështu thanë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi gjatë takimit që zhvilluan në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi.

 Në këtë takim në të cilin u bisedua për zhvillimet politike në Kosovës dhe Luginë të Preshevës, zëvendëskryeministri Kuçi tha së Qeveria e Kosovës do mbështes shqiptarët e Luginës së Preshevës për të drejtat e tyre qytetare dhe njerëzore, por edhe ato që kanë të bëjnë me identitetin nacional.
“Ne jemi te gatshëm që të mbështesim Luginën e Preshevës, shqiptarët atje dhe jemi të gatshëm që t’i trajtojmë shqiptarët atje si urë lidhëse për raportet tona korrekte që duhet t’i kemi në mes dy shteteve tona. Natyrisht e dimë sa është e rëndë të jetohet në atë ambient, por bashkëpunimi ynë, kohezioni ynë nacional, por edhe mbështetja ndërkombëtare, do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes në atë pjesë, në kuptimin më pozitiv të mundur”, theksoi Kuçi.
Sipas Kuçit, Qeveria e Kosovës do të angazhohet për zvogëlimin e çmimit të polisave të sigurimeve kufitar për shqiptaret e Luginës së Preshevës, po ashtu sipas tij, për aq sa përputhen programet arsimore të arsimit fillor, nxënësve shqiptarë të Luginës do t’ju shpërndahen libra falas, si dhe do të punohet për përshpejtim të procedurave për marrjen e diplomave nga studentët Luginës.