Kushtetuta me amendament jokushtetues

Përmbajtja e amendamentit të dhjetë të Kushtetutës, nga gjithsej njëmbëdhjetë sa janë propozuar, ia ndërpret presidentes Atifete Jahjaga mandatin kushtetues dhe ua mundëson shkelësve të Kushtetutës kandidimin për majë të pushtetit. Juristë e kualifikojnë antikushtetues këtë amendament.

Në Gjykatën Kushtetuese ndodhen të njëmbëdhjetët amendamente që janë propozuar nga Komisioni parlamentar i themeluar pas një marrëveshjeje politike për të bërë ndryshime në aktin më të lartë juridik, e që ndërlidhen me procedurën e zgjedhjes së presidentit dhe me kompetencat e tij, shkruan gazeta “Koha Ditore”.
Kushtetuesja do të konstatojë se ky amendament, por edhe të tjerët që janë propozuar, i zvogëlon apo jo të drejtat dhe liritë e garantuara me kapitullin II të Kushtetutës. Pas kësaj, Kuvendi do t’i qesë propozimet për aprovim para deputetëve.
Gazeta ka siguruar përmbajtjen e këtij amendamenti që zëvendëson nenin ekzistues 162, dhe i cili i referohet shpalljes së zgjedhjeve të para presidenciale.
Pavarësisht dispozitave tjera të Kushtetutës, në të thuhet se “zgjedhjet për presidentin e Republikës së Kosovës, në përputhje me nenin 86 të Kushtetutës, mbahen brenda 6 (gjashtë) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese dhe ligjore relevante”.
Në këtë nen precizohet se mandati i presidentit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur nga Kuvendi, sipas dispozitave të mëhershme të Kushtetutës, vazhdon derisa “presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin”.
Juristët e shohin këtë si një precedent të rrezikshëm.