Shutanovac bojkotoi konferencën në Shkup për shkak të Çekut

Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, nuk ka marrë pjesë në samitin ministror të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të SHBA-së “Sfidat e përbashkëta dhe zgjidhjet e bashkuara”, që përfundoi në Shkup.

Në Ministrinë e Mbrojtjes së Maqedonisë thanë për "Lajm" se Shutanovac nuk ka dhënë sqarime për mospjesëmarrjen e vet në konferencë, e as nuk ka shprehur interesim të caktojë ndonjë tjetër përfaqësues të Ministrisë serbe të Mbrojtjes.
Supozohet se shkak për këtë bojkot nga Shutanovac është pjesëmarrja e ministrit kosovar Agim Çeku, në cilësinë e vëzhguesit. Çeku ka shprehur keqardhje për mungesën e ministrit serb, duke vlerësuar se nuk është në frymën e bashkëpunimit të mirë rajonal.
Kosova në këtë samit është përfaqësuar pa emër, por vetëm me emrin e ministrit Çeku dhe me flamurin shtetëror.
Ministrat pjesëmarrës kanë nënshkruar edhe një deklaratë të përbashkët me konkluzionet që kanë dalë nga konferenca.