Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, zhvilloi disa takime bilaterale me disa prej delegacioneve pjesëmarrës, në ditën e parë të Konferencës “SHBA-Karta e Adriatikut”, që filloi në Shkup të Republikës së Maqedonisë.
Ministri Çeku fillimisht u takua me delegacionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të udhëhequr nga zonja Celeste Walender, zëvendës sekretare e Mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euro-Azi. Po ashtu ministri i FSK-së Agim Çeku u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ante Kontromanovic, pastaj me atë të Malit të Zi, Milica Pejanovic-Gjurisic si edhe me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes të Sllovenisë të kryesuar nga Primoz Savc, drejtor gjeneral i Drejtoratit të Politikave të Mbrojtjes.
Në të gjitha këto takime që zhvilloi ministri Çeku dhe delegacioni i ministrisë së FSK-së me homologët u bisedua për bashkëpunimin regjional si edhe për mbështetjen për proceset për FSK-në në NATO.