Plan për parandalimin e zgjedhjeve serbe

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar konsideron se përpjekjet e Serbisë për të organizuar zgjedhjet lokale në territorin e Republikës se Kosovës janë ilegale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese dhe ligjore për të penguar këtë agresion të Republikës së Serbisë ndaj Kosovës. Në këtë drejtim, Policia e Kosovës është duke përgatitur planin operativ për ndalimin e organizimit të zgjedhjeve ilegale në territorin e Republikës së Kosovës, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.
“Veprimet operative të Policisë së Kosovës, përkatësisht arrestimi i personave dhe zyrtarëve të institucioneve ilegale serbe është në përputhje të plotë me qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në raport me këto zgjedhje ilegale. Personat e arrestuar të cilët po bartnin material zgjedhor kanë shkelur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe si rrjedhojë do të ballafaqohen me organet e drejtësisë”, thuhet në kumtesë.
Më tej thuhet se Policia e Kosovës ka arrestuar këta persona për shkak të fakteve dhe dëshmive që posedon, se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në veprime ilegale në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe jo si rezultat i bindjeve të tyre personale, apo pse janë pjesë e një komuniteti etnik.