Policët u kidnapuan në zonën e përgjegjësisë së tyre

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB) e dënon ashpër kidnapimin e zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës nga ana e Xhandarmërisë serbe. Pjesëtaret e Policisë së Kosovës në momentin e kidnapimit kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre, thuhet në reagimin e MPB-së.

“Ky veprim tinëzar dhe i organizuar i Xhandarmërisë serbe dëshmon edhe një herë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës. Përpjekjet e shtetit serb për agresion ndaj Republikës së Kosovës përmes veprimeve të tilla, të nxitura nga Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, i cili me plot fanatizëm po dëshmohet si trashëgimtar i politikës agresore të Milosevicit, kanë dështuar historikisht dhe do të dështojnë edhe tani”, thuhet në kumtesën e MPB-së

Ministria e Punëve të Brendshme kërkon nga EULEX-i dhe mekanizmat tjerë relevant të Bashkimit Evropian, të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
“Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës, fton institucionet e Bashkimit Evropian të gjykojnë veprimet e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim të plotë me rendin dhe ligjin dhe janë veprime anti-evropiane dhe në dëm të perspektivës evropiane të rajonit”, thuhet në reagim.