Jahjaga: I dolën zot popullit

Në solemnitetin e organizuar me rastin e shënimit të 20-vjetorit të themelimit të Shërbimit Shëndetësor në kuadër të Shoqatës Bamirëse Humanitare “Nëna Terezë” në Prishtinë, presidentja e vendit Atifete Jahjaga, ka thënë se “përvjetori i 22-të i themelimit të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë” dhe përvjetori i 20-të i themelimit të Shërbimit Shëndetësor, në kuadër të kësaj shoqate, e dëshmojnë përkushtimin dhe angazhimin tonë për t’i dalë zot këtij populli dhe këtij vendi, në periudhën kur sistemi okupues i mbylli institucionet, kur na largoi nga puna dhe kur njerëzit mbetën në rrugë pa përkujdesje institucionale”.

“Shërbimi shëndetësor në kuadër të ‘Nënë Terezës’, me punën e vet e gëzoi admirimin dhe gëzimin e popullit por edhe të miqve tanë ndërkombëtar dhe të donatorëve që përkrahën Kosovën me ndihma të llojllojshme. Shoqata krijoi ambulancat në gjithë vendin dhe mobilizoi ekipe mjekësh e infermieresh që gjendeshin kudo që populli kishte nevojë. ‘Nëna Terezë’ ndihmoi edhe spitalet dhe shtëpitë e shëndetit me barna dhe me material tjetër të nevojshëm, duke pasur parasysh faktin se pacientët ishin qytetarë të Kosovës”, tha presidentja Jahjaga.
Ajo më tej tha se “Nëna Terezë” pati me mijëra aktivistë të shpërndarë në teren, disa prej të cilëve u sakrifikuan duke kryer misionin e tyre humanitar në shërbim të popullit e atdheut.
“Ky organizim në vitet e okupimit dhe gjatë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbetet një nga pjesët më të lavdishme të historisë sonë, duke qenë mirënjohës për këtë vepër dhe për kontributin dhe angazhimin e të gjithëve. Humanistja e madhe, e lumja Nëna Terezë ka thënë ‘Jeta është detyrë, përmbushe’, dhe ju këtë detyrë e keni përmbushur më së miri”, tha presidentja e vendit në solemnitetin e sotëm.