Plasaritje dhe rrëshqitje të trasesë së rrugës vërehen në afërsi të rrethrrotullimit që lidh rrugët Prishtinë-Fushë Kosovë dhe Prishtinë-Mitrovicë. Veturat pa ndërprerje kalojnë nëpër këtë projekt, i cili është konsideruar si ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji në Ballkan, dhe që kap koston prej afro 15 milionë eurove. Me gjithë devijimin e bazës dhe trashësisë së trasesë, sidomos në pjesën që lidh magjistralen për Mitrovicë, Ministria e Infrastrukturës ia lë fajin mospërfundimit të punës në këtë projekt.
Shtresa përfundimtare e asfaltit, e cila parashihet të shtrohet këtë pranverë, sipas Lah Nitajt, këshilltar i ministrit Fehmi Mujota, ka ndikuar që traseja të ketë devijime të vogla.
“Projekti i rrethrrotullimit është në fazën finale të realizimit. Nuk bëhet fjalë për asnjë lloj çarjeje. Në fakt, vijat që duken janë pjesët lidhëse të segmenteve të udhës, përkatësisht fugat e dilatimit, të cilat parashihen për projektet e tilla, dhe ato do të mbyllen me elementet e parapara me projekt shumë shpejt. Kompania ndërtuese është zotuar se brenda pak kohe do t’i vendosë ato”, ka thënë Nitaj.
Sipas tij, ky rrethrrotullim është projektuar nga një kompani projektuese vendore. “Ka pasur disa vonesa të evidencuara të punëkryerësit, prandaj me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve është bërë lëshimi i përkohshëm në shfrytëzim vjeshtën e kaluar”, ka thënë Nitaj, shkruna Koha Ditore.
Ai ka vlerësuar se rrethrrotullimi është në fazën finale të realizimit, ndërsa Ministria pret finalizimin e plotë të punimeve dhe lëshimin në qarkullim të përhershëm të tij brenda pak ditësh. “Nuk ka rrezik, dhe shpresojmë të mos ketë asnjë rrezik për asnjë nga shfrytëzuesit e tij”, u është referuar Nitaj dëmtimeve të këtij rrethrrotullimi.