Shefja e delegacionit të Republikës së Kosovës për dialogun teknik në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Edita Tahiri, e ka thyer heshtjen disajavore.
Në këtë intervistë për “Epokën e Re”, Tahiri Tahiri ka deklaruar bindshëm se Serbia s’do të mund t’i mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë, as nuk do të ketë status special për serbët e veriut.
“Beogradi nuk do të mund t’i mbajë zgjedhjet në Kosovë. Në bazë të të gjitha bisedave që i kam zhvilluar deri më tash, kam parë një seriozitet dhe vendosmëri të diplomatëve perëndimorë, që t’ia bëjnë me dije Serbisë se nuk mund të ketë standarde të dyfishta të politikës së jashtme, në një anë proevropiane karshi Evropës, në anën tjetër antievropiane karshi rajonit, veçanërisht Kosovës”, theksoi Tahiri.
Kryenegociatorja u shpreh se sa i përket zgjedhjeve serbe, por edhe temave të tjera nga Cooper dhe diplomatë të tjerë me të cilët është takuar pas përfundimit të raundit të fundit, ka kërkuar mosmbajtjen e tyre, përkatësisht pengimin e Serbisë për t’i mbajtur në Kosovë.
“Tani është koha kur BE-ja duhet të flasë, t’i mbrojë vlerat evropiane si dhe t’i obligojë shtetet që të jenë të vetëdijshme se rruga për BE është rrugë me obligime për respektim të standardeve. Pika e dytë: ua kam bërë të qartë se zhbërja e strukturave paralele është e domosdoshme dhe është në funksion të stabilitetit rajonal. Kurse, pika e tretë: kam theksuar se vendet mosnjohëse të cilat po vazhdojnë të mos e njohin Kosovën duhet të kenë parasysh se çdo vonesë në këtë drejtim ndërlidhet me brishtësinë e mundshme apo në rrjedhat jo të dëshirueshme për stabilitetin rajonal”, ka thënë Tahiri.
Se a e paraqet fusnota ndryshe Kosovën, nuk e paragjykon statusin e Kosovës, Tahiri theksoi se të gjithë do të dëshironim që Kosova sot të ishte shtet i njohur nga të gjitha vendet e botës dhe BE-së, por, realiteti është ky që është dhe ende pesë vendet e BE-së nuk na kanë njohur si shtet.
“Pra, meqenëse jemi në një proces të tranzicionit drejt njohjes globale për të cilën ne kemi forcuar të gjitha dinamikat e lobizimit, atëherë formulat e tilla kalimtare, por që kontribuojnë në përfaqësimin e barabartë dhe të plotë të Kosovës në të gjitha organizatat dhe iniciativat rajonale, janë një mundësi që ne si shtet t’i plotësojmë standardet evropiane”, shprehet Tahiri.
Tahiri nuk i ka komentuar direkt deklaratat e kryetari të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka deklaruar se delegacioni i Kosovës nuk i ka njohur teknikat e dialogimit.
Kryenegociatorja Tahiri me këtë rast ka thënë “Unë mendoj se dialogu teknik dhe rezultatet duhet të analizohen me një qasje vizionare dhe strategjike. Pikërisht kjo analizë u takon politikanëve që kanë përvojë në negociata. Negociatat apo bisedimet janë të suksesshme vetëm kur të mbrohen qëllimet strategjike. Të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë mbrojtur dhe avancuar interesat nacionale të Kosovës. Kanë respektuar vijat e kuqe, Rezolutën e Kuvendit të Kosovës dhe platformën e Qeverisë”.