Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Mal të zi, ka vizituar Komunën e Ulqinit, me ç’rast ka takuar kryetarin e Komunës, Nazif Cungu, deputetët e partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, si dhe me Këshillin Nacional të Shqiptarëve të Malit të Zi.
Kuçi gjatë këtyre takimeve është njoftuar për së afërmi me zhvillimet politike në Mal të zi, përfaqësimin e shqiptarëve në këtë shtet si dhe nevojat e popullatës së atjeshme, për çka ka siguruar kryetarin e komunës së Ulqinit, Nazif Cungu dhe deputetët shqiptarë se do të kenë përkrahjen absolute të Prishtinës zyrtare drejt fuqizimit të rolit shtet formues të tyre dhe pjesëmarrjes demokratike të tyre në institucionet e Malit të Zi.
Ai siguroi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë t’i ndihmojë shqiptarët atje nëpërmjet disa mënyrave, siç është çështja e studimeve, duke ruajtur kështu traditën e regjistrimit të studentëve shqiptarë të këtij vendi në Universitetet publike të Kosovës dhe lehtësimin e procedurave dhe vendosjes se tyre nëpër qendrat e banimit (konvikte).
Ndërsa, kryetari Cungu dhe deputetët shqiptarë siguruan zëvendëskryeministrin Kuçi se shqiptarët do të ruajnë rolin e tyre konsolidues në drejtim të fuqizimit të identitetit dhe pjesëmarrjes aktive dhe qytetare në institucionet e këtij vendi dhe u pajtuan që kryetari Cungu t’i bëjë një vizitë shumë shpejt Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, zëvendëskryeministri Kuçi mori pjesë në konferencën “Bashkë kundër diskriminimit”, e cila u mbajt në Budva, nën patronatin e kryeministrit të Malit të Zi, Igor Llukshic.
Në margjina të kësaj konference, Kuçi takoi edhe Rene Weingartner, drejtorin e Drejtoratit për të Drejtat e Njeriut dhe Anti-diskriminim të Këshillit të Evropës.