Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), gjatë vitit 2011 ka mbledhur 261 milionë euro nga tatimet, duke tejkaluar planin për 0.8 për qind, apo 20 për qind më shumë se gjatë vitit paraprak.
Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Behxhet Haliti, tha se gjatë inkasimit të të hyrave për vitin 2011 janë tejkaluar parashikimet. “Gjithsej ATK ka mbledhur 370 milionë euro, prej tyre 261 milionë nga tatimi, kurse 108 milionë nga kontributet pensionale, të cilat iu kanë dhënë trustit për menaxhim të mëtutjeshëm. Është një tejkalim simbolik i të hyrave, por për ne si menaxhment është me rëndësi se është viti i tretë që realizojmë objektivat”, tha Haliti.
Më së shumti të hyra janë mbledhur nga TVSH-ja, rreth 122 milionë euro, apo rreth 46 për qind, pastaj nga Tatimi i mbajtur në burim dhe Tatimi në të ardhura të korporatave.
Gjatë vitit të kaluar janë zhvilluar rreth 900 kontrolle dhe 78 mijë vizita edukuese përmbushëse ndaj tatimpaguesve. Kurse si rezultat i mbledhjes së detyrueshme janë arkëtuar rreth 32 milionë euro. Haliti përmendi edhe prioritetet e këtij viti. “Për vitin 2012 ATK planifikon që të realizojë të hyra prej rreth 288 milionë euro, të parapara me buxhetin, të realizojë strategjinë e përmbushjes të cilën e kemi miratuar në shtator, të inkurajojë dhe të ndihmojë përmbushjen vullnetare”, theksoi Haliti.
Ndër sfidat kryesore të këtij institucioni vazhdon të jetë niveli i lartë i borxheve dhe azhurnimi i regjistrit të tatimpaguesve.
Sipas Halitit, gjatë vitit 2010 niveli i borxheve ka qenë 231 milionë, kurse vitin e kaluar kanë arritur ta zvogëlojë në 215 milionë euro, apo 85 për qind në raport më të hyrat, kurse objektiv i ATK-së është që këtë nivel ta ulë në 10 për qind në raport me të hyrat.