Ambientalistë amerikanë me peticioni kundër “Kosovës së Re”

Iniciativat joqeveritare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kundërshtojnë prodhimin e energjisë nga linjiti, janë duke i bërë presion Departamenti të Shtetit që të mos i japë përkrahje projektit “Kosova e Re”. Në funksion të kësaj fushate, një shoqatë ambientaliste amerikane ka iniciuar një peticion qytetar. Peticioni është hapur në formë elektronike dhe mund të gjendet në faqen zyrtare të “Sierra Club”. Ishin pikërisht “Sierra Club” dhe KIPRED-i që në fund të vitit të kaluar e kishin hartuar një studim për projektin “Kosova e Re”.

Përveç peticionit, aty ofrohet edhe një përshkrim se cilat janë arsyet që Departamenti i shtetit të mos vihet në përkrahje të këtij projekti energjetik.
Në peticion thuhet se nëse përkrahet ndërtimi i “Kosovës së Re”, atëherë do të trefishohet kostoja e energjisë në Kosovë, ndërsa shteti do të futet në borxhe në një kohë të rrezikshme të ekonomisë globale, shkruan Koha Ditore.
Tutje në shpjegim thuhet se Departamenti i Shtetit Amerikan duhet të jetë lider i energjisë së pastër në botë dhe jo të përkrahë projekte që janë ndotës.
Edhe organizata “350”, një ndër më të fuqishmet në botë që angazhohet për mbrojtje të mjedisit, ka nisur peticionin drejtuar Bankës Botërore, Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe Parlamentit të Kosovës, nga të cilat kërkohet të mos mbështesin TC “Kosova e Re”.
Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar nismat që po bëhen në shtetet e Bashkuara të Amerikës.