Barcelona është kualifikuar në gjysmëfinale të Copa del Rey, pasi ka eliminuar Real Madridin me një barazim 2-2 në Camp Nou, që e çon rezultatin e përgjithshëm pas dy ndeshjeve në 4-3.
Pjesa e parë si zakonisht nëpër El Clasico, ishte e jashtëzakonshme. Pas një koreografie të jashtëzakonshme dhe vërshëllimave ndaj Pepes, vijnë dhe rastet e para.
Real Madridi pas vetëm nëntë sekondave lojë rrezikon portën me anë të Higuain pas një gabimit të Gerard Pique. Ka mundur shumë lehtë që Reali këtu të kalojë në epërsi.
Sidoqoftë, fati edhe në vazhdim të pjesës së parë do t’u mungojë Los Blancos. Pas një gjuajtje të lirë të ekzekutuar nga Xabi Alonso, ishte Higuain që nga tre metra nuk arriti të realizojë në portën e Barcelonës, kjo për shkak të intervenimit të Pintos.
Kaka e filloi takimin dhe tregoi formë të lartë nga fillimi i takimit. Kjo u vërtetua pas një kundërsulmi, kur gjeti të vetmuar Cristiano Ronaldon, e goditja e të cilit kaloi vetëm pranë portës.
Real Madridi vazhdoi me presionin dhe nuk arriti ta gjejë golin përkundër dominimit. Ishte Mesut Ozil ai që shokoi 120 mijë të pranishmit në Camp Nou, kur qëlloi traversën nga 27 metra distancë. Topi nuk e kaloi vijën fatale dhe rezultati mbeti i pa ndryshuar.
Duke parë këtë dominim të Realit, Guardiola largon nga loja Andres Iniestën të lënduar dhe fut në lojë Pedron.
Pas një kundërsulmi të mirë të udhëhqur nga Lionel Messi, nga afërsia shënoi në minutën e 43-të Pedro për 1-0.
Ishte kjo goditje e rëndë për Real Madridin, që humbi toruan dhe filloi të nervozohej. Fat të madh madrilenët kanë pasur kur gjyqtari Teixeira nuk e ndëshkoi me karton të kuq Lassana Diarran, i cili ndërhyri ashpër në Lionel Messin ku dhe meritoi kartonin e verdhë. Nga kacafytjet i ndëshkuar doli portieri Iker Casillas.
Pikërisht nga kjo goditje e dënimit, ishte Daniel Alves që nga një top i kthyer realizoi një super eurogol me volej, duke dridhur portën e Iker Casillasit, tronditur lojtarët e Real Madridit e duke elektrizuar deri në maksimum tifozët katalanas në Camp Nou (45 +2’)
Me rezultatin 2:0 për Barcelonën përfundoi pjesa e parë në Camp Nou, përkundër një dominimi total të Real Madridit.
Pjesa e dytë ishte vërtet e jashtëzakonshme me emocione të cilat nuk i kemi përjetuar më parë. Me një fillim tejet të qetë, duke pritur një fitore rutinore të Barcelonës, u duk se gjithçka mbaroi.
Sidoqoftë, kështu nuk menduan madrilenët. Fillimisht gjyqtari anuloi një gol me kokë të Sergio Ramos pas një goditje nga këndi, duke ngritur dyshime mbi kredencialet e gjyqtarit, i cili gaboi në hiç në pak se katër penalti të pa akorduara dhe disa gabime tjera flagrante për të dyja palët.
Gjithçka ndryshon 20 minuta pa përfunduar takimi. Cristiano Ronaldo shfrytëzoi pasimin e shkëlqyeshëm të Mesut Ozil, për të kaluar dhe portierin Pinto dhe për të realizuar për 2-1. Ringjallet kështu motivi tek lojtarët e Realit. (68’).
Vetëm tri minuta më vonë, Karim Benzema me klas të vërtetë kaloi në stilin sombrero kapitenin e Barcelonës, Carles Puyol, për të realizuar për 2-2 dhe dramën në fund të takimit.
Deri në fund Real Madridi tentoi të barazonte rezultatin, por pos kartonit të kuq nga Sergio Ramos, nuk pati ndryshime në rezultat.
Barcelona pret në gjysmëfinale kundërshtarin nga takimi tjetër çerekfinale Valencia – Levante, kurse Real Madridi kthehet kryelart në shtëpi pas kësaj paraqitjeje të denjë dhe spektakolare në Camp Nou. /Telegrafi/
Pedro 42' 1-0
Alves 45'+2 2-0
Benzema 72' 2-2