Grupi Parlamentar i AAK-së insiston në zbatimin e vendimeve që merr Kuvendi i Kosovës. Si të tilla, vendimet e Kuvendit nuk janë këshilluese, por detyruese për Qeverinë e vendit. Prandaj, edhe sot ne si Aleancë shprehim pakënaqësinë tonë me vazhdimin e politikës së njëjtë të Qeverisë në raport me Kuvendin. Pra, politikën e injorimit dhe zhvleftësimit të rëndësisë primare që ka Kuvendi në një Republikë si kjo e jona. Kështu ka thënë deputeti dhe Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, në Kuvendin e Kosovës.
“Lëre që nuk respektoi mocionin e 7 dhjetorit, i cili u zhvleftësua, por kjo Qeveri nuk respekton as këtë mocionin e ri, që u votua nga deputetët e koalicionit qeveritar. Në pikën 3 të Mocionit të 20 janarit, thuhet shprehimisht se ‘Qeveria obligohet t’i raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit’. Pra, Qeveria është dashur që menjëherë pas votimit të mocionit, të kërkojë nga Kuvendi mbajtjen e një seancë me vetëm një pikë të rendit të ditës: Raportimi i Qeverisë lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka shenja se do të ndodhë”.
“Pra, Qeveria as nuk na ka raportuar se çka po ndodh në këto bisedime, dhe as nuk e ka ndërmend të na raportojë. Me këtë, tashmë po shkel edhe një vendim tjetër. Pra, po shkel edhe pikën 3 të mocionit të 20 janarit”, ka thënë Ramadani.