Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Podgoricë, në një konferencë të përgashkët për media me homologun e tij malazez, Igor Luksic, ka deklaruar se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi i tyre në BE. Ai i ka bërë këto komente në pyetjen se cili është ndikimin e elementëve nacionalistë në rajon për çështjen e stabilitetit të rajonit dhe për çështjen e minoriteteve.
“Sot unë mendoj se interesi kombëtar i shqiptarëve është integrimi i tyre në BE, e cila ka faktuar se është një komunitet apo është një rend që bazohet para së gjithash dhe mbi të gjitha në liritë dhe të drejtat e individit, në respektim të të gjitha diversiteteve dhe sensitiviteteve në hapësirën e tij”.
“Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë ideali kombëtar bëhet ose barazohet me idealin evropian. Kështu që zërat e ekstremistëve ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush”, ka thënë kryeministri Berisha.
“E vërteta është që popujt tanë dhe vendet tona kanë përkushtimin më të madh për integrimin në BE. Le të marrim shembullin e kroatëve. Kombi kroat votoi këto ditë pothuajse me 2/3 për integrimin në BE, çka tregon se qytetarët e vendeve tona, thellë në shpirtin e tyre, janë proevropianë dhe dëshirojnë integrimin në BE”, ka thënë ndër të tjera kryeministri shqiptar.