Tahiri mbajti dy ligjërata në Turqi

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës Edita Tahiri ka vazhduar vizitën e saj në Turqi me takime në Ankara dhe Stamboll, duke përfshirë takimet në parlamentin turk, shoqatat e shqiptarëve në Turqi dhe po ashtu ka mbajtur ligjërata në Institutin prestigjioz Tepav dhe në Universitetin Sabanci.

Në Parlamentin e Madh të Republikës së Turqisë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka takuar Kryetarin e Grupit Parlamentar për Miqësinë mes Kosovës dhe Turqisë, Mustafa Kemal Şerbetçioğlu si dhe ka zhvilluar një bisedë me anëtarët e këtij grupi, në mesin e të cilëve ishin edhe deputetët me origjinë shqiptare, Gülay Dalyan dhe Rifat Sait.
Në këtë takim u fol për avancimin e miqësisë në mes Kosovës dhe Turqisë dhe rolin e y parlamenteve në kuadër të bashkëpunimeve ndërshtetërore, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja Tahiri në këtë takim tha se rikonfirmon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve në të gjitha fushat e jetës. Ajo po ashtu kërkoi angazhimin e Parlamentit të Turqisë për shtimin e numrit të njohjeve për Kosovën dhe anëtarësimin e sajë në organizatat parlamentare ndërkombëtare.
Ndërsa, Mustafa Kemal Şerbetçioğlu tha se Grupi i Deputetëve, që ai drejton, përbëhet edhe nga deputetë me prejardhje shqiptare dhe bashkëpunimi dhe përkrahja për Kosovën do të fuqizohet edhe më shumë në të ardhmen.
Zëvendëskryeministrja Tahiri po ashtu ka mbajtur ligjërata në institutin për politika ekonomike TEPAV në Ankara dhe Universitetin Sabanci në Stamboll më temat “Rruga e Kosovës drejtë integrimeve Euroatlantike” përkatësisht “Vizioni Euroatlantik i Kosovës”.