Hamiti: Agani, truri i të menduarit politik

Profesor Fehmi Agani ishte truri i të menduarit politik dhe është heroi i Kosovës, kanë thënë përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), me rastin e 13-vjetorit të vrasjes së Profesor Fehmi Agani, me ç’rast vendosen kurora lule pranë shtatores së tij në kompleksin universitar në Prishtinë.

Deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti tha se ata sot po nderojnë dhe kujtojnë profesorin e madh Fehmi Agani, i cili u ka prirë me dijen e tij të pakrahasueshme, për artikulimet politike dhe interesat nacionale të shqiptarëve, transmeton Kosovapress.
Hamiti po ashtu theksoi se Agani ishte njëri ndër protagonistët e lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, ishte truri i të menduarit politik, edhe në rrafshin kombëtar dhe në rrafshin e komunikimeve ndërkombëtare.
Sipas Hamitit, Agani pa dyshim ka qenë bashkëpunëtori më i madh politik i presidentit Ibrahim Rugova, i pathyeshëm në brishtësinë e vet, i fortë në mendime, komunikativ me të gjithë njerëzit dhe ishte shembull se si një profesor është i zoti që të bashkëpunojë me nxënësit e vet, të cilët ishin nxënësit e tij politik.
“Ai e dha jetën për Kosovën, por trashëgimia e tij kulturore, politike, nacionale është e pa çmueshme. Kujtimi i tij është rimarrje e nevojës, për një njëri i cili ka pasur fuqinë e jashtëzakonshme, të koordinimit të lëvizjes politike dhe të gjitha formave të rezistencës. Kosovës në të gjitha kohërat i mungon një njëri si Fehmi Agani... Është hero i Kosovës edhe pa qenë i shpallur. Por, është heroi i Kosovës i shpallu në pesëvjetorin e shkuarjes së tij nga presidenti Ibrahim Rugova. Ai është vlerë e trashëguar e LDK-së dhe lëvizjes së pavarësisë së Kosovës”, tha ai.