Studentët paralajmërojnë protesta masive

Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit kanë shqetësuar edhe studentët e Universitetit të Prishtinës. Përfaqësues të tyre, theksojnë se nëse institucionet përgjegjëse nuk ndërmarrin veprime konkrete, studentët nuk do të heshtin, duke paralajmëruar protesta masive.

Studentët e Universitetit të Prishtinës nuk e kanë ndërmend të rrinë duarkryq, pas zhvillimeve të fundit në vend.
Synojnë të përsërisin veprimin e kolegëve të tyre gjatë viteve 80- të, të cilët patën demonstruar për lirinë e vendit, raporton KTV.
Të indinjuar me institucionet përgjegjëse të vendit, të cilat sipas tyre nuk janë duke bërë asgjë në përmirësimin e situatës në veri, përfaqësues të studentëve u bëjnë thirrje atyre të ndërmarrin veprime konkrete.
Ndryshe masat e tyre të veprimit do të jenë më radikale.
E në një konferencë tjetër, të ndarë, nga kjo e organizatave studentore e ka mbajtur edhe Parlamenti Studentor, lidhur me situatën e krijuar në veri.
Përfaqësues të studentëve, gjithashtu u bëjnë thirrje edhe mekanizmave ndërkombëtarë, KFOR- it dhe EULEX-it që në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të mundësojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe të mallrave, duke liruar rrugët nga barrikadat e ngritura.