AAK: Grabovci po shpifë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka demantuar deklaratën e shefit të GP të PDK-së, Adem Grabovci, i cili ka thënë për një gazetë se “AAK ka lëvizur nga qëndrimet e saj dhe e përkrah PDK-në në nismën për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend”. Deklaratën e Grabovcit, AAK e ka cilësuar shpifje ordinere, qëllimkeqe dhe me pretendime për manipulim të opinionit publik.

“Kreu i grupit parlamentar të partisë në pushtet, po synon që, me deklarime të tilla, t’i ikë përgjegjësisë parësore që e ka kjo parti dhe qeveria që ajo udhëheqë, për humbjet e mëdha dhe të njëpasnjëshme, të shkaktuara në veri të vendi”, thuhet në reagimin e AAK-së.

AAK bën të ditur se që nga viti 2008, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka kërkuar plan dhe qasje serioze nga Qeveria e Kosovës, për zgjidhjen e çështjes së veriut dhe integrimin e qytetareve të asaj pjese të vendit.
“Kjo ide ishte refuzuar nga Qeveria Thaçi, e verbuar asokohe nga pushteti dhe abuzimet. Kjo qeveri e nënvlerësoi rëndësinë e shtrirjes së sovranitetit dhe kushtetushmërisë në veri dhe mbrojtjen e integritetit të vendit. Si rezultat, sot veriu është i ndarë dhe jashtë juridiksionit të Kosovës, kurse pasojat po i bartin qytetarët tanë atje”, thuhet në reagim.

AAK konsideron se ky kryeministër, qeveria dhe strukturat e tij janë përgjegjësit direkt për situatën e krijuar në vend, sidomos për atë në veri.

“Pikërisht kjo qeveri ka lejuar që veriu i Kosovës të jetë aneks pa pushtet, pa ligj e pa kushtetutë, të bëhet oazë e krimit të organizuar dhe e kontrabandës dhe vend-defilim i lirë për kriminelët nga Serbia. Po kjo qeveri, aty ku dështoi në shtrirjen e Kushtetutës, pati sukses në shtrirjen e bizneseve të paligjshme”.

Andaj, “nisur nga tërë këto të vërteta, AAK konsideron se shpifjet e Adem Grabovcit janë në vazhdën e spekulimeve dhe keqpërdorimeve që partia në pushtet po ia bën pa ndalë Kosovës dhe opinionit të saj publik”, thuhet në reagim.