Dhjetëra deputetë të Kuvendit të Kosovës tregohen “patriot të flaktë” në kafenetë e këtij institucioni teksa pinë kafe me kolegët e tyre, por sapo fillojnë të ngjiten shkallëve për t’u “parkuar” në sallën e Kuvendit, e ndryshojnë krejtësisht qëndrimin.
Fjalori i ashpër në raport me problemet e mëdha të vendit, në veçanti me rastet kur është në pyetje shteti serb dhe shprehja e nuancave “nacionaliste” duket se nga ligjvënësit kosovarë cilësohen si tejet të rrezikshme për të ardhmen e tyre politike, duke e ndërlidhur secilin veprim me ndikimin që ai mund të ketë te faktori ndërkombëtar, shkruan “Zëri”.
Për më tepër, në situata të tilla kontribut të madh janë duke dhënë edhe liderët e partive të ndryshme që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës, të cilët për të mos u futur në “listën e zezë” të ndërkombëtarëve parapëlqejnë që deputetët e tyre t’i mbyllin sytë karshi shumë proceseve.
Madje, një gjë të tillën e konfirmojnë edhe vetë deputetët e legjislacionit aktualë, të cilët thonë se në zgjedhjet e fundit shumëkush është bërë deputet falë vjedhjes së votës dhe ndikimit të liderit, ndërsa sot, siç thonë ata, janë “steril” në Kuvend.
Nait Hasani, nga PDK, thotë se ikja e deputetëve nga “temat e nxehta” ka të bëjë me faktin se “ata nuk janë vetvetja por e përfaqësojnë mendimin e partisë dhe të liderit”.