Policia nis konfiskimin e tabelave të reja serbe

Policia kufitare e Republikës së Kosovës ka filluar t’i konfiskojë të gjitha tabelat e reja të veturave të lëshuara nga Republika e Serbisë për qytetet e Kosovës. Të premten, sipas agjencisë serbe të lajmeve, Beta, Policia e Kosovës, në pikën kufitare në Merdarë, ia ka hequr tabelat e reja një autoambulance nga Graçanica.

 Sipas drejtuesve të Shtëpisë së Shëndetit në Graçanicë, ky veprim i policisë së Kosovës, ka bërë që medikamentet dhe materialet sanitare të nevojshme për pacientët të mos arrijnë në destinacion, dhe se “si rrjedhim, tani përgjegjësinë për keqësimin e shëndetit të tyre duhet ta mbajnë institucionet e Kosovës”.
Për konfiskimin e tabelave të reja ‘PR’, të lëshuara nga Serbia, drejtuesit e Spitalit në Graçanicë, kanë informuar autoritetet ndërkombëtare në Kosovë. Por autoritetet e Kosovës, ditë më parë kanë bërë të ditur se tabelat e reja të lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës, janë të pavlefshme. Po ashtu qytetarëve serbë të Kosovës u është bërë me dije që deri më 1 qershor kanë afat t’i heqin tabelat e vjetra (PR, GL, etj) dhe të pajisen me tabelat e reja ‘KS” ose “RKS”.