Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se provimi i Jurisprudencës është pjesë e projektuar si arkitekturë e drejtësisë në Kosovë dhe si pjesë e standardeve të domosdoshme në ndërtimin e sistemit të drejtësisë.
Kuçi këto komente i bëri në ceremoninë e organizuar me rastin e ndarjes së certifikatave për 56 kandidatë që kanë dhënë Provimin e Jurisprudencës.
“Ne së bashku me partnerët ndërkombëtarë po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie të mëdha dhe me synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë, për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim”, theksoi Kuçi.
Sipas ministrit Kuçi, 56 juristë të certifikuar sot me provim të dhënë të jurisprudencës, do ta kenë barrën dhe privilegjin për t’i mundësuar Kosovës një aspiratë më të madhe drejt fuqizimit të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, qoftë si gjyqtar, prokuror, avokat, noter apo ndërmjetësues dhe shtoi se bashkërisht me partnerët vendës dhe ndërkombëtar, kanë paraparë edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për provimin e jurisprudencës, i cili do të jetë edhe me efektiv dhe më pragmatik për juristët e rinj.
Ndërkaq, kryetari i Komisionit për dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Rexhep Haxhimusa tha se certifikatat e marra sot nga kandidatët, dëshmojnë se ata janë të përgatitur për të qenë gjyqtar, prokurorë dhe avokatë të nesërme të Kosovës.