Pas incidentit të së enjtes pasdite, kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora, dha detaje për motivin e sulmit ndaj tij, të cilin e cilësoi "të befasishëm dhe tinëzar".
Sulmi i kryer nga Musli Verbani, imam në xhaminë e Kaçanikut, ka ardhur si reagim ndaj “moszgjidhjes së tij si kryetar i Bashkësisë Islame në Kaçanik, për një mandat të tretë apo të katërt”, thotë kryemami Bajgora në një prononcim për “Radio Evropa e Lirë”.
Sipas tij, përmes akteve të tilla individë të caktuar po ndikojnë në prishjen e imazhit të Bashkësisë Islame.
“Me gojën plot mund të them se Bashkësia Islame ka një unitet të jashtëzakonshëm në mes të imamëve, por ja që dalin individë të caktuar që e prishin këtë imazh", u shpreh Bajgora. "Ndërkohë, shumica e imamëve të Kaçanikut e kanë dënuar aktin dhe janë kundër veprimeve që i ka kryer imami i apostrofuar”.
Ndaj sulmit kundër kryeimamit ka reaguar Bashkësia Islame dhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut.
Bajgora, ndërkaq, shfaqi shpresën që organet e hetuesisë t’i zbatojnë detyrat që kanë në mënyrë që drejtësia ta thotë fjalën e vet.
“Ai sigurisht shumë shpejt do të arrestohet dhe do të vihet para drejtësisë. Përndryshe, kam besim të plotë në organet e rendit dhe të drejtësisë që këtë rast do ta çojnë deri në fund”, tha ai.
Mësohet se arrestimi i personit që akuzohet se ka sulmuar kryeimamin Bajgora nuk është bërë ende. Policia e Kosovës bëri të ditur se menjëherë pas marrjes së informatave, ka nisur hetimet duke e kërkuar sulmuesin në disa lokacione, por se nuk ka arritur ende të identifikojë vend-ndodhjen e tij.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk deshi të japë të dhëna për personin e dyshuar për sulm, ndërsa kundërshtoi të flasë edhe për motivet eventuale të sulmit.
“Motivi dhe gjërat e tjera bëhen të ditura pas përfundimit të rastit në përgjithësi, meqenëse çdo gjë është në hetim e sipër”, theksoi Kelani.
Ndërkohë, është paralajmëruar një mbledhje e jashtëzakonshme e Bashkësisë Islame të Kosovës për këtë çështje, që pritet të mbahet në orët e pasdites.