Sannino: Pranimi i integritetit territorial të Kosovës - përparim

Drejtori i Përgjithshëm në Komisionin Evropian për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Stefano Sannino, ka shprehur kënaqësinë për faktin se me njohjen e integritetit territorial të Kosovës është bërë përparim i rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve në Ballkanin Perëndimor.

Zyrtari i Komisionit Evropian tha se sheh që “ekziston pragmatizëm në Beograd dhe në Prishtinë" dhe shprehu shpresën se negociatat do të vazhdojnë “eventualisht në një format tjetër", transmetojnë mediat serbe.
Sannino në Berlin po merr pjesë në konferencën "Serbia dhe Bashkimi Evropian: cila është rruga përpara", i organizuar nga Fondacioni Robert Bosch dhe Fondi i Beogradit për përsosmëri Politike.
Ai ka paralajmëruar se Komisioni Evropian synon që gjatë marsit, siç u shpreh "paraprakisht", të fillojë shqyrtimi se në ç’masë Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, si kandidate për anëtarësim në BE (të cilave ende nuk u është përcaktuar data e fillimit të negociatave) përmbushin kërkesat e kapitullit 23 dhe 24, në lidhje me sundimin e ligjit, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut.