Serbët e veriut presin fjalë nga Lavrovi

Politologu serb Predrag Simic thotë se pret reagimin e Moskës, pas deklaratës së ambasadores amerikane në Beograd, Mary Warlick, se "amerikanët nuk duan mbajtjen e zgjedhjeve lokale (serbe) në Kosovë ".

"Pritet reagimi i kreut rus të diplomacisë, Sergey Lavrov, i cili ende nuk është deklaruar përkitazi me qëndrimin a ambasadores Warlick, pra të SHBA-ve, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë”, ka thënë Simic për “Dnevnik”, duke shtuar se serbët e Kosovës mund të llogarisin në reagimin e Moskës.
"Serbët në Kosovë janë të vetëdijshëm se shumëçka tani varet pikërisht nga Rusia dhe nga ajo që do të thotë Lavrov. Në çdo rast, në horizonti është një krizë e re e Kosovës në lidhje me zgjedhjet lokale”.
Warlick ka thënë ditë më parë se amerikanët nuk duan zgjedhje lokale në Kosovë dhe se SHBA-të vazhdojnë ta mbështesin sovranitetin dhe pushtetin e Kosovës në tërë territorin e saj.