BE shtrëngon liberalizimin për Kosovën

Me gjithë dëshirën për të thënë se “detyrat e shtëpisë” për liberalizimin e vizave për Kosovën do të jenë të njëjta me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, versioni fillestar i “Udhërrëfyesit” të vendit tonë ka nxjerrë në shesh një të vërtetë krejt tjetër.

Një analizë e bërë nga Qeveria e Kosovës e siguruar nga “Zëri” numëron jo pak dallime mes “udhërrëfyesve” që i kanë pasur vendet e rajonit dhe atij që po diskutohet momentalisht mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të BE-së.
Qysh në ballinën e analizës qeveritare të emërtuar “Dallimet dhe risitë në draft-udhërrëfyesin e 14 shkurtit 2012”, vlerësohet se dallimet janë substanciale me udhërrëfyesit e vendeve të tjera, por edhe me atë që e kanë hartuar vetë institucionet e Kosovës disa vjet më parë.
“Për dallim nga udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave (ULV) të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, drafti i 14 shkurtit ka dallime substanciale si në qasje ashtu edhe në përmbajtje, të cilat do t’i elaborojmë më poshtë”, është vlerësimi i bërë nga zyrtarët qeveritarë që e kanë analizuar draftdokumentin evropian.
Analiza shtatëfaqeshe e qeverisë ndër të tjera përmend edhe atë që është nënvizuar edhe nga “Zëri” në raportin e së enjtes, është blloku numër tre që flet për luftën kundër korrupsionit.