Targat e vjetra, vetëm deri më 1 qershor 2012

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se në zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës, nr. 16/67, të datës 21 mars 2012, të gjithë qytetarët të cilët posedojnë automjete me targa të cilat nuk janë të lëshuara nga institucionet e Kosovës, mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre me targa KS ose RKS, në qendrat përkatëse të regjistrimit të automjeteve, në bazë të dokumenteve që posedojnë, deri me datën 1 qershor 2012.

“Pas datës 1 qershor 2012, Policia e Kosovës do të ndalojë automjetet të cilat bartin targa të vjetra (PR, GL, KM, ...), do të konfiskoje targat e vjetra dhe të njëjtat raste do t’i përcjellë në gjykatat kompetente të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ndërkohe, targat e reja të Serbisë, me prefikse të qyteteve të Kosovës, sipas MPB-së, janë ilegale dhe do të konfiskohen nga ana e Policisë së Kosovës, kudo që hasen.
MPB po ashtu lut të gjithë drejtuesit e automjeteve që gjatë kësaj periudhe (deri në qershor), të pajisen me letërnjoftim dhe patentë-shofer të Republikës së Kosovës, që të mund të regjistrojnë veturat e tyre.