Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), është shprehur thellësisht e shqetësuar, me arrestimin politik të sindikalistit kosovar, Hasan Abazi, nga ana e autoriteteve serbe.
Abazi ishte në rrugë për një konferencë ndërkombëtare në Kroaci, kur është kapur në Konçul të Bujanocit, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar në vitin 1995, për, siç thuhet, “krime kundër kushtetutës dhe sigurisë së Republikës së Serbisë”.
AI është po ashtu jashtëzakonisht e shqetësuar me deklaratat e ministrit serb të Mbrojtjes, Ivica Dacic, se arrestimi është kryer “në shenjë hakmarrjeje” ndaj arrestimeve që u ka bërë policia kosovare katër zyrtarëve serbë të Kosovës, të cilët bartnin material zgjedhor të Serbisë, thuhet në komunikatë.
Organizata thirret në raportet e medieve. Po ashtu, sipas djalit të Hasan Abazit, Hakiut, babait të tij nuk i është lejuar të takojë avokatin. “Në bazë të këtyre deklaratave, Amnesty International thekson se liria individuale e njerëzve nuk mund të vihet në rrezik si një mjet pazarllëku në mosmarrëveshjet politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.