Hoxhaj: Me çdo mjet kundër zgjedhjeve serbe në veri

Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës përbën rrezik për stabilitetin jo vetëm në veri të Kosovës por në gjithë rajonin

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Ansamed, Hoxhaj ka thënë se përpjekjet e Beogradit paraqesin një shkelje flagrante të sovranitetit të Kosovës dhe se Qeveria e Kosovës do të përdor të gjitha mjetet ligjore që ka në dispozicion për t’i ndaluar ato.
Nëse këto zgjedhje do të mbaheshin edhe në veriun e vendit, ministri Hoxhaj ka paralajmëruar pasoja të rënda - afatshkurtra por edhe afatgjata.
“Sjellja e Serbisë është anti-evropiane dhe paragjykon integrimin e serbëve që jetojnë në zonën veriore të vendit tonë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ministri i Jashtëm i Kosovës ka folur edhe për pritjet që brenda këtij viti të përfundojë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se Kosova do të zbatojë ende ligje të rëndësishme në temën e integrimit të minoriteteve dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, por edhe ligje për zhvillim ekonomik dhe social.