Këshilli Drejtues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që Naim Ferati të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të komunës së Ferizajt.
Në një konferencë për media, nënkryetari i AAK-së, Blerim Shala theksoi se “...Naim Ferati duke qenë kandidat për kryetar të Ferizajt ka nderuar AAK-në dhe padyshim ofron një alternativë shumë e fuqishme për një qeverisje të mirë në Ferizaj”.
Më tej ai tha se Ferati si kryetar i ardhshëm i Ferizajt do të bashkëqeverisë me qytetarin dhe vetëm për interesin e qytetarit.
Ndërkaq, në fjalën e tij para Këshillit Drejtues, Ferati falënderoi Këshillin Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për besimin e tyre dhe njëherësh shprehu kënaqësinë e tij që iu ka bashkangjitur partisë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.
Ai tha se do të jetë plotësisht i përkushtuar që të shërbej vetëm për zhvillimin dhe avancimin e komunës së Ferizajt, duke pasur në qendër të vëmendjes qytetarin.
Po ashtu u tha se në ditën në vijim, kandidati për kryetar të Ferizajt do të konsultohet me qytetarët e Ferizajt dhe me ekspertët vendor për të përpiluar një program që do të jetë udhërrëfyes për zhvillim e komunës.
Në këtë konferencë Ferati poashtu e bëri publik edhe njëherë kalimin e tij nga AKR-ja në AAK.