Kushti më i rëndësishëm për Serbinë për të filluar negociatat e pranimit në BE, është përmirësimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Kosovën, thotë drejtoresha e zyrës së Qeverisë së Serbisë për integrime evropiane, Milica Delevic.
Në një intervistë për EurActiv, Delevic thotë se së shpejti do të fillojnë përgatitjet për negociatat e mundshme dhe se BE-ja do t'i kushtojë vëmendje të veçantë seksionit të gjyqësorit dhe të “drejtave themelore të qytetarëve, sigurisë, drejtësisë dhe lirisë”.
"Komisioni si prioritet kyç për hapjen e negociatave e ka definuar përmirësimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe unë besoj se të kërkojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura, marrëveshjet e reja në sektorin energjisë dhe telekomunikacionit, si dhe krijimin e kushteve që EULEX-i të mund të kryejë mandatin në tërë Kosovën", ka thënë ajo.