Punonjësit e arsimit kanë merita të jashtëzakonshme

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka kërkuar të mërkurën nga anëtarët e kabinetit që të rrisin angazhimet në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga dokumenti i presidentit Ahtisaari për statusin e Kosovës, në mënyrë që deri në gjysmën e shtatorit, me një ceremoni rasti të përmbyllet procesi i pavarësisë së mbikëqyrur.

Thaçi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka shprehur urimet për 7 Marsin, Ditën e mësuesit, duke përkujtuar se angazhimi dhe kontributi i të gjithë punëtorëve të arsimit në Kosovë ka qenë dhe është i rëndësishëm për procesin e arritjes dhe ndërtimit të lirisë në Kosovë.
“Punonjësit e arsimit në Kosovë kanë merita të jashtëzakonshme në përgatitjen e gjeneratave që vunë themelet e dijes, shkencës dhe institucioneve, që mbrojtën identitetin kombëtar dhe realizuan krijimin e shtetit të pavarur, të lirë dhe demokratik të Kosovës” ka thënë Thaçi.
Në mbledhje, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe disa Projektligje si dhe katër koncept-dokumente për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve: Ligjit për Planifikim Hapësinor, Ligjit për Shfrytëzimin, Administrimin dhe Mirëmbajtjen e Ndërtesave në Bashkëpronësi, Ligjit për Kemikate dhe koncept-dokumentin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtje nga Rrezatimi Jo-jonizues, Jonizues dhe Sigurinë Nukleare.