Qeveria e Kosovës i kërkoi Beogradit zyrtar që të ketë “sjellje evropiane” karshi rajonit - përfshirë Kosovën, që të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit.
Këtë kërkesë e bëri të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, duke komentuar vendimin e Serbisë për t’i mbajtur zgjedhjet lokale edhe në territorin e Kosovës, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
I pyetur nëse Bashkimi Evropian do të duhej ta ndëshkonte shtetin serb në rrugën e tij evropiane për shkak të këtij zhvillimi, Kuçi u shpreh:
“Kosova s’e ka logjikën që t’u krijohen pengesa të tjerëve, ndërsa të tjerëve u kërkon që të mos e pengojnë Kosovën. Kjo është logjika jonë; ky është shteti ynë; ky është funksioni ynë. Nuk e kemi ndërmend ta dëmtojmë krejt rajonin për veprimet e të tjerëve”, tha ai.
Bashkësia Ndërkombëtare i ka kërkuar vazhdimisht shtetit serb që të mos planifikojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, ndërsa pat theksuar rëndësinë e zhbërjes, sa më parë, të strukturave paralele serbe në vend.
Përmirësimi i raporteve me Kosovën u bë, së fundi, parakusht për avancimin evropian të Serbisë.
Megjithatë, zyrtarët serbë njoftuan një ditë më parë se zgjedhjet lokale do të mbahen “në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht nëse janë në jug apo veri të Kosovës”.
Kryetari i Komisionit Parlamentar të Serbisë për Integrimin Evropian, Laslo Varga, thotë se “për procesin e euro-integrimeve, organizimi i zgjedhjeve në Kosovë do të ishte bukur i dëmshëm”.
“Është e qartë edhe deklarata e komisionarit për zgjerim të BE-së, Stefan Fule, se një gjë e tillë do të ishte hap që nuk do t’iu shkonte përshtati integrimeve”, thotë Varga.
Milenko Dereta, nga Iniciativa Qytetare e Serbisë, thotë se autoritetet e Beogradit duhet të nënshkruajnë zgjedhje vetëm atje ku mund të ndikojnë në vendime.
“Referendumi i fundit është provë se Serbia nuk mund të ndikojë në vendimet e atyre komunave, se ato ndjekin politikë të pavarur. Ato nuk njohin asnjë autoritet, pos të tyrin. Le të vetorganizohen dhe vetëzgjidhen atëherë”, thotë Dereta.
Në muajin shkurt, serbët e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë organizuar referendumin e ashtuquajtur të veriut, ku, me shumicë votash, i kanë thënë “jo” shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në këto pjesë të venit.
Autoritetet kosovare kanë thënë se organizimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë është në kundërshtim me të gjitha dokumentet dhe rezolutat ndërkombëtare. Rezultatet e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, nuk janë njohur kurrë si të ligjshme as nga autoritetet kosovare, as ato ndërkombëtare.
Për herë të fundit, Serbia ka mbajtur zgjedhje në Kosovë në vitin 2010.