“Presidenti amerikan Barack Obama më ka përcjellë gatishmërinë e Washingtonit të ndihmojë që situata në Ballkan të stabilizohet dhe që problemi i Kosovës të zgjidhet në atë mënyrë që askush të mos jetë viktimë, por të gjithë të jenë fitues”, ka thënë ish-kryeministri jugosllav dhe biznesmeni amerikan me origjinë serbe, Milan Panic.
Ai ka sqaruar disa detaje të takimit të tij para disa ditësh në Kaliforni me presidentin Obama, ku mes tjerash kishte kërkuar një qëndrim të drejtë të Washingtonit dhe trajtim të njëjtë të Beogradit dhe Prishtinës në dialog.
“Më ka premtuar se do të bëjë çmos që të arrihet një zgjidhje në të cilën serbët nuk do të dënohen ose dëmtohen, ndërsa Prishtina të shpërblehet. Gjithashtu i kam propozuar Obamës, por edhe liderëve në Bruksel që zgjidhja më e mirë për qetësimin e situatës ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është që Serbia dhe Kosova të shkojnë me tempin e njëjtë drejt BE-së”, ka thënë Panic në një intervistë për gazetën "Vecernje novosti", transmeton QIK.
Në vërejtjen se opozita në Serbi pohon se pranimi për procese të ndara në eurointegrime do të thotë njohje indirekte e pavarësisë së Kosovës, Panic, ka thënë se nuk është e rëndësishme nëse një territor e trajtoni si të pavarur apo jo, me rëndësi, sipas tij, është që të zgjidhet problemi.
"Sikur Beogradi dhe Prishtina të kishin një temp të ngjashëm në rrugën evropiane, do të ishin më kooperativë në marrëveshjet e ndërsjella". Sipas Panicit, "në atë moment kur bëhen anëtare të BE-së, gjithë tregimi për kufijtë bëhet i parëndësishëm".
Në konstatimin nëse Washingtoni ka veshë për pozicionin e Serbisë me Kosovën, ose për ta çështja e statusit është një ‘storie’ e përfunduar, Panic thotë se "do të ishte shumë më lehtë sikur Serbia të realizojë interesat e saja në Kosovë, po qe se nuk do të bllokonte rrugën e Prishtinës drejt BE-së. Ky diskutim duhet patjetër të hapet".
Panic beson se në zgjedhjet e ardhshme në Serbi partitë e tubuara rreth Partisë Demokratike do të fitojnë. Për fat të keq, thotë Panic, Kosova do të jetë temë edhe në zgjedhjet e radhës. “Përsëri do të ketë parti të cilat do të tregtojnë me Kosovën për më shumë vota”, ka thënë Panic.