Çështja e bisedimeve është e përcaktuar edhe me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, edhe në atë të që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës, ndërsa tejkalimi i atyre kufijve bie mbi ata që janë futur në këtë çështje, për të cilën nuk kanë pasur përgjegjësi. Kështu ka vlerësuar sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një konferencë për media.
Krasniqi ka thënë se nuk është i informuar që bashkësia ndërkombëtare të ketë kërkuar futjen e veriut si pjesë politike të bisedimeve.
“Unë edhe njëherë po e deklaroj se nuk kam asnjë informacion dhe asnjë kërkesë nga asnjë faktor ndërkombëtar për të biseduar për atë çështje, por një gjë dua ta them, raportet e Kosovës me Serbinë janë raporte të nivelit nacional dhe unë mendoj se duhet të respektohet kjo formë e këtij niveli dhe këto bisedime duhet të vlerësohen si të tilla dhe duhet të jetë i kyçur i gjithë spektri politik i Kosovës”, ka thënë ai, raporton Kosovapress.
Krasniqi ka shtuar se çështja e bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë është e përcaktuar edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si dhe në rezolutën që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës.
Sipas tij, ata që i kanë tejkaluar këta kufij, përgjegjësia bie mbi ata që i kanë hyrë kësaj çështjeje pa pasur përgjegjësi.
“Tash nuk duhet të japë vlerësime se çfarë janë këto bisedime. Ne e dimë që këto bisedime janë zhvilluar mbi bazën e një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka qenë kërkesa për të biseduar për çështje teknike dhe për çështje të lehtësimit të qytetarëve të Kosovës dhe nëse tejkalohen këto që janë precizuar edhe në Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme edhe në rezolutën e Kuvendit, mendoj se përgjegjësia është e atyre që janë futur në një çështje që s’ka qenë përgjegjësi e tyre”, ka thënë ai.
Krasniqi ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë presion mbi Serbin, në mënyrë që ajo të sillet konform marrëveshjeve të arritura, e mbi të gjitha, të sillet edhe konform rezolutës 1244, e cila i heq të gjitha përgjegjësitë e Serbisë mbi çdo pjesë të territorit të Kosovës.
Ai gjithashtu ka thënë se Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka të qartë se çka është duke u biseduar në bisedimet me Serbinë dhe pret që Qeveria me një raport më të detajuar ta informojë Kuvendin.