Gyl: Turqia do të vazhdojë ta përkrah Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga është takuar në Stamboll me presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl, ndërkaq ky i fundit ka theksuar se shteti turk do të vazhdojë ta përkrahë njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në të gjitha forumet rajonale dhe ndërkombëtare.

Jahjaga në takimin me presidentin turk e vlerësoi ndihmën dhe përkrahjen që Turqia po i jep Kosovës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo tha se të dyja vendet duhet të zgjerojnë bashkëpunimin e ndërsjellë në veçanti në fushën e tregtisë.
Presidentja theksoi se Republika e Kosovës ka ndërtuar marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj dhe po luan një rol të rëndësishëm si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.
“E ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit është në Bashkimin Evropian dhe ato duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën në proceset integruese”, tha Jahjaga, duke shtuar se Republika e Kosovës ka dëshmuar përkushtimin e saj në këtë rrugë të integrimeve edhe me dialogun me Republikën e Serbisë që po zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.
Ndërkaq, presidenti i Turqisë, Abdullah Gyl theksoi përkushtimin e vendit të tij për të thelluar më tej bashkëpunimin politik e ekonomik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.
Ai vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë në procesin e shtet ndërtimit dhe përsëriti zotimin e tij se shteti turk do të vazhdojë ta përkrahë njohjen dhe konsolidimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, në të gjitha forumet rajonale dhe ndërkombëtare.
Presidenti Gyl dhe presidentja Jahjaga biseduan edhe rreth mundësisë së një vizite që presidenti turk do të zhvillojë në Kosovë dhe mënyrat e thellimit të bashkëpunimit të mëtejme ndërmjet dy vendeve.