AKP, sot vendimi për mospërmbushjen e kushteve

Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), pritet të marrë sot vendim rreth pesë ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special, të cilat nuk i kanë përmbushur kushtet e kontratës. Ka njoftuar zëdhënësi i AKP-së Ylli Kaloshi. Ai tha se Bordi është duke mbajtur një mbledhje për këtë çështje, dhe se mund të vendosë për marrjen e aksioneve dhe ri-privatizimin e tyre.

Blerësit e pesë ndërmarrjeve shoqërore, të privatizuara me metodën e spin-offit special, nuk i kishin përmbushur kushtet e kontratës sa i përket investimeve dhe numrit të të punësuarve, as pas disa afateve të dhëna nga bordi i drejtorëve të AKP-së. Prandaj ky organ kishte përcaktuar 15 marsin si afat përfundimtar për përmbushjen e zotimeve, në të kundërtën, kishte paralajmëruar marrjen e aksioneve.
Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, tha për Radio Kosovën se bordi i drejtorëve është duke mbajtur një mbledhje sot, për të diskutuar për këtë çështje, por nuk dha më shumë detaje.
Më parë, bordi i AKP-së, kishte formuar një grup punues dhe kishte mbajtur takime me poseduesit e kontratave, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.
Udhëheqësi i këtij grupi, njëherësh nënkryetar i Bordit, Naser Osmani, thotë se ky vendim është marrë më 16 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa zbatimi fillon më 15 mars. “Ne kemi zhvilluar shumë takime. Më 15 mars, vendimi fillon të ekzekutohet për ato kompani, të cilat grupi punues vlerëson që nuk kanë bërë asnjë lëvizje pozitive në këtë drejtim. Ne kemi hipotekën dhe e kemi të regjistruar si ‘Ndërmarrje e Re’; do të thotë kemi të drejtën e kthimit të aksioneve në gjendjen e mëhershme siç kanë qenë”.
Ndërmarrjet të cilat rrezikohen nga marrja e aksioneve janë, Hoteli Grand në Prishtinë, Industria e Duhanit Tobago në Gjilan, Ndërmarrja Agrokosova, dhe dy minierat, e Goleshit dhe Strezovcit. Osmani thekson se meqë tash nuk përdoret më metoda e spin-offit special, atëherë AKP-ja mund të vendosë për privatizimin e tyre përmes spin-offit të rregullt. “Nëse nuk ka pengesa apo ndalesa gjyqësore prej Odës se Veçantë, atëherë ne fillojmë me përgatitjen për shitje të rregullta, jo më me shitje spin-off special. Kjo, pasi që ligji i ri për AKP-në, nuk parasheh më shitje me spin-off special”.
Ndryshe, që nga viti 2005, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, kishte privatizuar 24 ndërmarrje shoqërore përmes metodës së spin-off-it special, që nënkupton kushte të veçanta për investime dhe numrin e të punësuarve.