FOL kërkon shkarkimin e Bukoshit

Bujar Bukoshi duhet menjëherë të japë dorëheqje ose të shkarkohet nga kryeministri Hashim Thaçi, pasi që tashmë prokuroria e Shtetit ka konfirmuar nisjen e hetimeve për korrupsion ndaj tij, ka thënë Fidan Kalaja i Lëvizjes Fol.

Në një konferencë për media, ku FOL-i ka prezantuar për shkeljet dhe korrupsionin e bërë nga zyra e prokurimit publik, Kalaja ka thënë se i takon kryeministrit Thaçi që ta shkarkojë Bukoshin, pasi që ai i cili i ka shpallur luftë korrupsionit, duhet ta luftojë atë nga kabineti i tij.
Sipas Lëvizjes FOL, Bukoshi gjatë kohës sa ishte ministër i Shëndetësisë në bashkëveprime me zyrtarët e tjetër të ministrisë, të cilët tashmë janë arrestuar, kanë dhënë tenderë të ndryshëm duke përfituar shuma të majme nga operatorët ekonomikë.
Koordinatori i projekteve, Armend Pajaziti, prezantoi rezultatet e raportit Monitoruesi i Prokurimit Publik 2011. Ai tha se “ministritë kanë bërë shkelje të shumta ligjore në gjithsej 30 tenderë të ndryshëm.
Ministria e Drejtësisë ka bërë shkelje ligjore në katër tenderë, Ministria e Administratës Publike, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës - në katër tenderë, Ministria e Forcës së Sigurisë dhe ajo e Bujqësisë - në tre tenderë, si dhe Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Zhvillimit Ekonomik - në dy tenderë.
Ndërkaq, ministritë me shkelje ligjore vetëm në një tender janë Ministria e Financave, ajo e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Diasporës”.
Në raportin e FOL thuhet se Prokurimi vazhdon të mbetet më i korruptuari, ku sipas gjetjeve të tyre, janë shkelur dispozita ligjore në 30 tenderë të dhënë nga ministritë e Kosovës.