Konsensusi mund ta çojë Kosovën drejt rrugës evropiane, ka thënë komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, Stefan Fyle, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Kurse kryeministri ka pohuar se shumë shpejtë pritet marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave,
Lëshimin e studimit për fizibilitetin, Fule e ka quajtur një hap shumë me rëndësi për marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, duke thënë se gjatë takimit me Thaçin ka potencuar disa çështje që derivojnë si pritje shumë të larta nga ana e Brukselit për mënyrën se çka duhet të bëjë Qeveria e Kosovës.
“Mund të ketë progres drejt rrugës së saj në Evropë, vetëm atëherë kur do të ketë konsensus ndërmjet agjendës evropiane për reforma dhe të cilat duhet të qohen përpara. E njëjta qëndron edhe me çështjet që kanë të bëjnë me fqinjësinë e mirë. Është esenciale për të ardhmen e Kosovës në marrëdhënie me Serbinë”, ka thënë ai.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka pohuar se shumë shpejtë pritet marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke premtuar që Kosova do t’i përmbush të gjitha obligimet dhe kriteret e nevojshme në afat rekord.
“Kosova do t’i përmbush të gjitha obligimet dhe kriteret e nevojshme demokratike në mënyrë që të lëvizim shpejtë në një afat rekord për implementimin e këtyre kritereve dhe procesin e plotë ta përmbyllim për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian”, ka thënë ai.
Thaçi ka pohuar se në takim është biseduar edhe për fqinjësinë e mirë të Kosovës me të gjitha vendet fqinje, për domosdoshmërinë e implementimit të të gjitha marrëveshjeve teknike mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe natyrisht për rajonin, pra që Kosova të evropianizohet sa më shpejtë që është e mundur.