Drejt njohjeve të reja

Konferenca e “Rrjetit Transatlantik” me temën “Fuqizimi i Ballkanit”, ka mbledhur në Prishtinë 40 liderë të rinj nga shtetet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Ata, gjatë tri ditëve, sa do të zgjasë konferenca, do të njihen me realitetin e Kosovës dhe mundësitë e zhvillimit politik dhe ekonomik, në mënyrë që të mund të kontribuojnë në një komunikim më të mirë me shtete prej nga vijnë.

Petrit Selimi, zëvendës ministër i Punëve të Jashtme, ka pohuar se shumë nga pjesëmarrësit janë anëtarë të Qeverive, diplomat dhe biznesmen, nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe se kjo, sipas tij, është një tullë e rëndësishme në krijimin e murit të njohjeve.
“Këto janë krejt beteja të vogla, në një luftë të madhe të njohjes së Kosovës. Ne duhet çdo herë, çdo ditë, çdo mundësi që e kemi, njerëzit t’i sjellim këtu dhe ata kur po vijnë po e shohin një normalitet i cili ndoshta nuk është prezent në mediat apo në opinionin e këtyre shteteve”, ka thënë Selimi.
Ndërsa, analisti dhe njohësi i rrethanave të Ballkanit, Tim Judah këtë konferencë e ka quajtur të rëndësishme edhe për formuesit e rinj të opinioneve që të vijnë në Kosovë dhe të mësojnë për të, të shohin atë dhe të dërgojnë mesazhin në vendet e tyre.
Sipas tij, pesë vendet e BE-së duhet ta njohin Kosovën edhe pse edhe pas shpalljes së vendimit të GJND-së ato vazhdojnë të mos pajtohen dhe të mendojnë se shpallja e pavarësisë është e paligjshme.
“Edhe ata kane brengat dhe problemet e tyre, pra problemet e tyre të njohura. Spanja me rajonet e veta, Qipro dhe Greqia, që është e lidhur me Qipron, Rumania me minoritetet e veta, gjithashtu edhe Sllovakia. Pra, të gjithë i kanë arsyet e tyre për mosnjohjen”, ka thënë ai.
Ndërsa Georgios Chatzigiagkou, pjesëmarrës nga Greqia, konsulent në mekanizmat e zgjerimit të BE-së ka pohuar se Konferenca bazohet në supozimin që njerëzit duhet të bashkohen dhe të krijojnë rrjete për të eliminuar keqkuptimet dhe të ndërtojnë ura kulturore.
Konferenca e “Rrjetit Transatlantik” është organizuar nga Këshilli Britanik në Kosovë, Këshilli Britanik në Washington DC dhe Ambasada Britanike në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe do të zgjasë deri më 29 mars.