Veseli: Mustafa nxit urrejtje!

Lidhur me akuzat e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli. E ka cilësuar për keqardhje qëndrimin e LDK-së, duke vlerësuar se ka zgjedhur rrugën e papjekurisë, anarkisë dhe nxitjes së urrejtjes, nga po tentohet të drejtohet populli ynë nga kryetari i LDK-së dhe shefi i opozitës, Isa Mustafa, raporton KTV.

“Në vend të fokusimit në prioritete nacionale dhe krijimit e respektimit të stabilitetit të institucioneve, tentativa për t'i dhënë kahe imponuese politike, absolute dhe nxitëse gjërave sensitive në princip, pa bazën e fakteve dhe argumenteve dhe në rrugë joinstitucionale, të përkujton një kohë dhe mentalitet që popullit tonë i kanë kushtuar shumë në të kaluarën, me të persekutuar, të burgosur e të vrarë”, thuhet në reagimin e Veselit.
“Për më tepër, është paradoksale kur pjesë të këtij procesi bëhen pikërisht eksponentë të cilët që nga fëmijëria ime kanë qenë pjesë aktive dhe me petkun më të lartë ekzekutiv të kohës së atyre veprimeve, dhe asnjëherë deri më sot, as edhe verbalisht nuk kanë marrë qëndrim distancues nga krime të tilla”.
“Është e vërtetë se pas luftës në këtë vend kanë ndodhur disa krime që e kanë turpëruar dhe gjakosur lirinë dhe ato duhet doemos të zbulohen, por këto tragjedi askujt s’duhet t’ia japin privilegjin e atakuesit, aq më pak, turpin e kënaqësisë dhe përfituesit për momente politike, siç është bërë praktikë e zakonshme kjo nga të tillë”, thotë Veseli.
Sipas tij, kryetari i LDK-së, si dhe çdo kush para e pas tij, duhet të deklarohen dhe të marrin përgjegjësinë etike e juridike për akuzat që bëjnë para organeve të drejtësisë, sepse në të kundërtën, turpi dhe përgjegjësia do të jenë njëtrajtshëm me ata që kanë kryer krime të tilla.
“Unë jam munduar e po mundohem të qëndroj larg kësaj gjuhe për hir të interesit nacional. Tekefundit, te populli, shteti dhe Zoti secili do të marrë çdo ditë atë që meriton”, përfundon reagimin e tij ish-shefi i SHIK-ut.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është rikthyer kritikave dhe akuzave për SHIK-un, duke e cilësuar atë një organizatë kriminale të financuar nga struktura të dyshimta dhe jo llogaridhënëse. Ai ndër të tjera ka thënë se edhe Kuvendi i Kosovës është mbushur me anëtarë të SHIK-ut.