Ftohti i madh që po mbretëron në vend, po vështirëson qarkullimin më tërë vendin.
Instituti Meteorologjikë i Kosovës paralajmëron se moti do të jetë më reshje bore deri të mërkurën, e temperaturat minimale deri ditën e enjte do të jenë nga minus 16 deri minus 23 gardë celsiusë në vendet kodrinore-malore. Të enjten ato priten të jenë edhe më të ulëta.
Drejtori i Institutit Meteorologjikë, Sylë Tahirsylaj, bënë thirrje për kujdes.
“Të premten sërish do të fillojnë reshjet. Do të ketë vështirësi në qarkullim për të gjithë qytetarët... Reshjet e borës do vazhdojnë deri në fillim të javës së ardhshme, kur pritet të rriten temperaturat. Por, kjo do të jetë një rritje e lehtë”, ka thënë Tahirsylaj, i cili ka paralajmëruar edhe për vërshimet e mundshme.
“Kemi lumenj rrëkeje që përshkojnë territorin e vendit tonë. Do ketë shkallë të lartë të degradimit të lumenjve dhe vërshimet janë të pashmangshme”, shton ai.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës pohojnë se rrugët magjistrale janë të kalueshme. Në gjendje më të keqe janë rrugët sekondare, ndërsa të bllokuara vazhdojnë të mbesin rruga Pejë-Kullë-Rozhaj. Po ashtu, është e bllokuar është edhe rruga që shpie për në Rugovë të Pejës, si dhe rruga për në rajonin e Mitrovicës, në Bajgorë.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka pohuar se gjatë 24 orëve të fundit nuk ka pasur aksident me fataliteti, por se janë shënuar 69 aksidente me lëndime dhe me dëme materiale.
Moti i ligë ka ndikuar edhe në punë e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ku është anuluar aterrimi i një aeroplani që vinte nga Bazeli i Zvicrës.